Secondary Adv

Tatimet, 283 subjekte të kontrolluara, 103 ton mallra të bllokuara

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar rezultatet e një aksioni 20-ditor për formalizimin e tregut të produkteve bujqësore dhe blegtorale, si dhe për rritjen e sigurisë ushqimore në vend.

Sipas institucionit, gjatë kësaj periudhe janë inspektuar 283 subjekte dhe janë bllokuar 103 ton mallra që nuk përmbushnin kriteret ligjore për tregtim.

 

Sipas Tatimeve, këtu përfundon faza e parë në terren, në kuadër të përpjekjes së vazhdueshme të forcimit të ligjshmërisë fiskale në sektorin e produkteve bujqësore dhe blegtorale.

 

Njëkohësisht nis faza e dytë e monitorimit, që synon të verifikojë në vazhdimësi shoqërimin e produkteve me faturë tatimore.

 

Qëllimi është i qartë: formalizim i tregut, rritje e sigurisë ushqimore dhe mbrojtje e konsumatorit. Zero Tolerancë ndaj subjekteve, pjesë e zinxhirit të tregut të produkteve bujqësore dhe blegtorale, që nuk respektojnë ligjin, thuhet në njoftim.

 

Tatimet ftojnë të gjithë tatimpaguesit të zbatojnë ligjin duke lëshuar faturë fiskale në çdo hallkë të zinxhirit ushqimor, për të siguruar gjurmueshmëri dhe transparencë nga prodhuesi te konsumatori.

 

Referuar nenit 8, pika 1, gërma “a” e udhëzimit nr.16, datë 03.04.2020, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i ndryshuar, mallrat e blera nga prodhuesit bujqësorë e blegtoralë duhet të shoqërohen me faturë të fiskalizuar, theksojnë tatimet.

 

Hapat që duhen ndjekur për lëshimin e saktë të këtyre faturave:

 

1.Zgjidhni opsionin “autofaturë”, i cili përmban automatikisht të dhënat e blerësit që po lëshon faturën;

2.Lloji i faturës duhet të jetë “Blerje nga fermerët vendas” (Domestic);

3.Vendosni të dhënat e fermerit shitës (emri dhe NIPT-i);

4.Përshkruani mallrat e blerë, pa llogaritur TVSH-në.

 

Kujdes. Për të vërtetuar saktësinë e transaksionit dhe origjinën e mallrave të shitur, rekomandohet që fatura të jetë e nënshkruar nga shitësi (fermeri), theksojnë tatimet. /ekofin.al


Më të lexuarat